Beqaj priti kreun e BERZH-it në Prishtinë Anton Kobakov

Prishtinë, 30.01.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka pritur në një takim Anton Kobakov Udhëheqës i Zyrës së Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) në Prishtinë. Qëllimi i takimit ishte diskutimi dhe gjetja e mundësive për të investuar në kompanitë e ujit si dhe rrugët rurale.

Me këtë rast Ministri Beqaj ka informuar kreun e BERZH-it z. Kobakov se një nga çështjet në të cilat investimet janë të domosdoshme janë trajtimi i ujit të pijshëm i ujërave të zeza si dhe mbeturinat e ngurta.

“Është i domosdoshëm investimi në trajtimin e ujit të pijshëm, ujërave të zeza përfshirë edhe mbeturinat, sepse këto çështje ndikojnë në jetën e qytetarëve prandaj jemi të interesuar të trajtojmë me prioritet këto segmente“, ka thënë ministri Beqaj.

Ministri Beqaj gjithashtu ka njoftuar përfaqësuesit e BERZH-it lidhur me mundësinë e implementimit në të ardhmen të modelit të partneritetit publiko privat në ndërmarrjet publike për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, ku sipas tij kjo është edhe mënyra më e mirë që projekte të tilla të kenë sukses dhe se zbatimi i tyre do të jetë më i lehtë.

Nga ana tjetër Kobakov ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këto projekte të cilat ka vlerësuar se janë projekte, të cilat lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe infrastruktura rrugore në pjesët rurale.