Beqaj: Plotësimi i kornizës legjislative arritja kryesore e 2011-s

Prishtinë, 27 dhjetor  2011 – Plotësimi i kornizës legjislative në fushën e ekonomisë, opinioni pozitiv i Traktatit të Komunitetit të Energjisë lidhur me ankesën e KOSTT dhe realizimi i 96 për qind i parashikimeve buxhetore të MZHE-së janë vlerësuar ndër sukseset kryesore të ministrisë për vitin 2011 nga ana e ministrit Besim Beqaj.

Në konferencën përmbyllëse për këtë vit, ministri Beqaj ka numëruar të arriturat e MZHE-së, stadin e projekteve që janë në realizim dhe prioritet për vitin 2012.

Duke u ndalë te sukseset, ai tha se MZHE ka plotësuar tërë agjendën e vet legjislative për vitin 2011, ngase janë aprovuar; Ligji për Efiçiencë të Energjisë, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Ligji   për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre,  ka kaluar në Qeveri Projektligji për Shërbimet e Shoqërisë Informatike, pritet të Aprovohen; Projektligji për Komunikime Elektronike, dhe Ligji i plotësuar për Ndërmarrjet Publike.

Gjithashtu janë finalizuar edhe aktet nënligjore si Strategjia Minerare 2012-2025, Strategjia e Ngrohjes 2011 – 2018, Muzeu i Kristaleve, Renta Minerare, Hulumtimet Gjeologjike, Balancat e Energjisë, etj.

Sa i përket projekteve, PTK, KEDS dhe TC “Kosova e Re”, Beqaj tha se me disa përjashtime ato po shkojnë sipas planifikimeve, ndërsa nënvizoi se qëllimi i Qeverisë është menaxhimi sa më i mirë me asetet publike.

“Komiteti Qeveritar për Privatizim (KQP) ka marrë vendim për të rifilluar procesin nga pika 0. Duke pas për qëllim rritjen e vlerës së aksioneve – KQP ka vendosur të ndërmarr disa reforma (ulja e shpenzimeve operative, etj.). Në Nëntor është proceduar me ndarjen e njësisë Posta dhe po ashtu është shpallur njoftimi për shprehje të interesit për Këshilltar të Transaksionit – i cili do të përmbyllet në Janar 2012”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së vlerësoi se projekti për privatizimin e KEDS-it ka vazhduar me një dinamikë të jashtëzakonshme, është bërë shpallja e ofertës dhe pritet që në muajin mars të shpallet fituesi për distribucionin.

“Projekti i TC “Kosova e Re” ka pasur disa vonesa që kanë të bëjnë me Bankën Botërore dhe pas harmonizimit me ketë mekanizëm MZHE në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka vendosur që këshilltarin e transaksionit për TC “Kosova e Re” ta përzgjedh vet me ç’rast janë kursye rreth 6 milionë euro”, tha ai dhe shtoi se orientimet e Qeverisë janë që ky projekt të bëhet  në harmoni të plotë me BE dhe BB.

Më tej ministri nënvizoi se MZHE ka vazhduar procesin e Monitorimit të 15 Ndërmarrjeve Publike dhe ushtrimin e rolit këshillëdhënës lidhur me respektimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike (LNP), kodin e etikës dhe qeverisjes korporatave.

Beqaj me këtë rast ka përmendur edhe pjesëmarrjen dhe organizimin e takimeve të nivelit të lartë, ku hyjnë forumet biznesore, takimet në kuadër të Komunitetit të Energjisë, takimin e BERZH-it dhe takimet dypalëshe me homologë dhe liderë të shteteve të ndryshme.

Sa i përket prioriteteve për vitin 2012, ministri ka renditur; vazhdimi i implementimit të projekteve (PTK, KEDS, TC “Kosova e Re”), Organizimi i aktiviteteve me qëllim të promovimit të investimeve në fushën e Energjisë, Minierave, Telekomunikacionit dhe IT-së, etj, Fuqizimi dhe intensifikimit i bashkëpunimit me komunitetin e biznesit me qëllim të krijimit të politikave, strategjive të cilat do të ndikojnë në rritjen së konkurrueshmërisë së sektorit privat.