Beqaj: Ndriçimi efiçient, pjesë e Planit Kombëtar të EE-së

Prishtinë, 10 nëntor 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa në mënyrë simbolike kanë inauguruar sot projektin e ndriçimit publik efiçient, përmes instalimit të poçave efiçiente në rrugën “Ilir Konushevci” në kryeqytet.

Me këtë rast, Ministri Beqaj ka shprehur kënaqësinë që me kryetarin e Prishtinës po e promovojnë një projekt të ri që ka të bëjë me efiçiencën e energjisë, e i cili zhvillohet në kuadër të Planit Kombëtar për Efiçiencën e Energjisë.

“Janë plane të përbashkëta me komunat e Republikës së Kosovës të përkrahura edhe nga GIZ. MZHE edhe në komuna tjera është duke marrë masa për ndriçim publik me poça efiçientë të cilët ndihmojnë edhe në kursimin e energjisë elektrike, kanë jetëgjatësi më të madhe dhe njëherit u ofrojnë qytetarëve një kualitet më të mirë të ndriçimit”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se ky projekt po fillon me Komunën e Prishtinës, për të vazhduar më pas me Ferizajn, Mitrovicën dhe Podujevën.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa vlerësoi se me një një project të tillë po realizohen intencat e integrimeve evropiane, që të kursehet energjia elektrike dhe paraja publike si dhe tu ofrohet qytetarëve energji efiçiente.

“Ne do të bëjmë përpjekje që këto aktivitete edhe në të ardhmen t’i bashkërendojmë me ministrinë në mënyrë që sa ma shumë rrugë, sheshe dhe ambiente publike të ndriçohen në mënyrë efiçiente”, tha Mustafa duke falënderuan MZHE-në për realizimin e këtij projekti.

Ndryshe, ky projekt është pjesë e  zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në institucionet publike në kuadër të realizimit të  Planit Kombëtar të EE sipas kërkesave të BE-së dhe TKE-së dhe paraqet zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për poça kursyes – në ndriçimin e rrugëve publike.