Beqaj: Nderimi i heronjve detyrë e institucioneve

Prishtinë, 31 janar 2012 – Iniciativa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik  dhe e PTK-së për nderimin e heronjve të lirisë me emetimin e një pulle postare, është vetëm një detyrë e vogël e institucioneve të Kosovës për veprën e madhe të këtyre dëshmorëve, ka deklaruar  ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot me rastin e lëshimit në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull: “Flakadanët e lirisë”, ku së bashku me u.d i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Nuredin Krasniqi  dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, z.Rexhë Gjonbalajn, zbuluan kornizën me pamjen e pullës postare.

“Me këtë pullë postare ne sot sublimojmë vlerat më të mëdha të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnuhallau dhe Edmond Hoxha synimi i përbashkët i të cilëve ishte liria dhe pavarësia e Kosovës”, tha më tutje Beqaj.

Ndërkaq. u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Nuredin Krasniqi tha se emisioni i 77- të me radhë i pullave postare titulluar  “Flakadanët e lirisë”, u dedikohet heronjve tanë të cilët u flijuan për Kosovën e pavarur, për lirinë të cilën ne e gëzojmë sot.

“Rezistenca dhe rrugëtimi i tyre heroik u bë udhërrëfyes i bashkëluftëtarëve të tjerë që mbajtën ndezur flakën e lirisë, që organizuan, udhëhoqën dhe u hapën rrugë institucioneve të lirisë”, tha Krasniqi.

Përmes edicionit të pullave postare “Flakadanët e Lirisë”, Filatelia e Postës së Kosovës, ka prezantuar disa nga veprimtarët e periudhës së luftës intelektuale të viteve ‘70/’80 dhe luftës së armatosur të viteve ’90.

Ky emision i pullave postare përbëhet prej dy pullave postare me nominale €1 dhe €2,  si dhe Zarfi i Ditës së Parë.

Me këtë emision të ri të pullave postare, Filatelia e Postës së Kosovës synon të ridëshmojë edhe një herë se lufta shekullore e popullit kosovar për pavarësi dhe liri, padyshim përbën qëndresën më të fuqishme dhe më të përgjakur ndër popujt e  Ballkanit.