Beqaj ligjëron në Uashington “Perspektivat e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës”

Uashington, 27.09.2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, ka mbajtur sot një ligjëratë në “Universitetin Johns Hopkins” në Uashington gjatë së cilës ka prezantuar një kronologji të procesit të shtetndërtimit pas vitit 1999 e deri më tani, sfidat dhe perspektivën ekonomike të Kosovës.

Ministri Beqaj në ligjëratën që është moderuar nga Daniel Serwer, anëtar i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike ka theksuar se  që nga arritja e pavarësisë më 2008, Kosova i ka orientuar politikat e saj drejt transformimit të ekonomisë dhe rritjes së qëndrueshme  ekonomike.

Kreu i MZHE-së pasi ka prezantuar një pasqyrë të ekonomisë së Kosovës, ka vënë në dukje se orientimet e Qeverisë janë ruajtja e qëndrueshmërisë makro-fiskale, përmirësimi i mjedisit të investimeve, mbështetja e sektorit privat, zhvillimi i Infrastrukturës publike, rivitalizimi i sektorit të bujqësisë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Beqaj ka theksuar se sektorët më potencialë për zhvillim vlerësohen, energjia, minierat, telekomunikacioni dhe industria e përpunimit të drurit, metaleve etj.,  ndërsa ka shtuar se institucionet kanë formalizuar bashkëpunimin me asociacionet e biznesit, përmes themelimit të Këshillit Nacional për Zhvillim Ekonomik, me qëllim të fuqizimit të sektorit privat.

Më tej ai ka folur edhe për procesin e privatizimit dhe projektet që janë duke u zhvilluar, duke konfirmuar angazhimin e Qeverisë që ky proces të zhvillohet konform standardeve ndërkombëtare, për çka edhe ka marrë mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtare.

Ministri Beqaj ka thënë se Kosova ka një orientim të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për këtë është duke ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme drejt përmbushjes së kritereve të nevojshme.

Ligjërata e ministrit Beqaj në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington realizohet në kuadër të vizitës së tij në SHBA ku mori pjesë në Konferencën e Investitorëve që u mbajt në Uashington, me ç’rast para investitorëve u prezantuan mundësitë për investime në Kosovë.