Beqaj : Kosova ka nevojë për investime direkte

Prishtinë, 28.01.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, ka pritur ambasadoren kanadeze jo –rezidente në Zagreb për Kosovën  Louise LaRocque  e shoqëruar nga  Bill McCrimmon Konsulli i Ambasadës. Temë e takimit ishte zhvillimi i  diplomacisë ekonomike në mes të dyja vendeve si dhe gjetja e mundësive të bashkëpunimit në sektor të ndryshëm të ekonomisë. Me këtë rast ministri Beqaj ka informuar ambasadoren kanadeze LaRocque për gjendjen ekonomike të Kosovës  duke u shprehur se rimëkëmbja ekonomike në vendet e prekura nga kriza ekonomike do të fillojë të ndodhë“.

“Kosova ka nevojë për investime të huaja direkte në mënyrë që të stimulohet  zhvillimi i sektorit privat dhe në këtë mënyrë të rritet zhvillimi i  prodhimit vendor”,  ka thënë  Beqaj duke shtuar se  të gjitha iniciativat lidhur me krijimin e bazës legjislative për sektorët strategjik të ekonomisë janë ndërmarr. Po ashtu ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës  është e  përkushtuar që të gjithë investitorët  e interesuar për të investuar në Kosovë  të trajtohen barabartë konform akteve ligjore në fuqi dhe me transparencë të plotë.

Po ashtu kreu i MZHE-së Besim Beqaj  ka njoftuar ambasadoren LaRocque  për organizmin e konferencës së donatorëve në sektorin e energjisë që pritet të mbahet gjatë këtij viti dhe me këtë rast ka ftuar që agjencitë dhe organizatat donatore nga Kanada  të jenë pjesë e konferencës.

Ndërsa ambasadorja kanadeze LaRocque  ka vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës nga shpallja e pavarësisë si në aspektin  politik po ashtu edhe në rrafshin ekonomik, duke u shprehur se resurset humane janë ndër kapacitetet më të mëdha që ka Kosova.

Ndërsa, ministri Beqaj e  ka njoftuar ambasadoren për mundësitë e investimeve në fushat siç janë; bujqësia, teknologjia informative, turizmi, efiçienca e energjisë dhe minierat.