Beqaj: Kosova është duke tërhequr vëmendjen e investitorëve të jashtëm

Prishtinë, 04.12. 2012 – Sektori i energjisë në Kosovë është duke tërhequr vëmendje të konsiderueshme të investitorëve të jashtëm dhe ne shpresojmë që deri vitin e ardhshëm do të kemi ndryshime thelbësore në investimet në fushën e energjisë, minierave dhe mineraleve, tha ministri Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri në forumin për investime që u mbajt në kryeqytetin belg Bruksel me qëllim të promovimit të mundësive të investimeve në Kosovë dhe ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes bizneseve nga të dy vendeve.

Ministri Beqaj me këtë rast ka prezantuar orientimet e Qeverisë së Kosovës e veçanërisht për sektorët strategjik që konsiderohet të jenë bazë e zhvillimit të vendit si energjia e minierat dhe ftoi investitorët belg të investojnë në Kosovë.

Beqaj ka vënë në dukje se Republika e Kosovës ofron një mjedis të favorshëm për investime, ndërsa korniza ligjore u ofron atyre një trajtim të barabartë me investitorët vendorë.

Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, tha se imazhi i Kosovës është përmirësuar ndjeshëm si rezultat i reformave për të bërit biznes dhe politikave të favorshme ekonomike.

Kosova nuk është pjesë e lajmeve ndërkombëtare si eksportuese e jo-stabilitetit rajonal dhe ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe investitorët e jashtëm, tha Kusari Lila.

Pjesë e kësaj konference ishin një numër i konsiderueshëm i bizneseve belge dhe kosovare nga sfera të ndryshme, të cilët patën rastin të bisedojnë për bashkëpunimin e ndërsjellë.

Ndryshe, organizimi i Forumit të Biznesit në Belgjikë, është pjesë e një fushate të gjerë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për promovimin e investimeve në Kosovë te vendet me investitorë potencialë për Kosovën posaçërisht në Bashkimin Evropian, SHBA dhe Turqi.