Beqaj: Kosova e vendosur për realizimin e masave të reciprocitetit

PRISHTINË, 3 gusht 2011-Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj  ka deklaruar sot se Kosova është e vendosur për realizimin e masave të reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën dhe se për asnjë moment nuk do të lëshoj pe në realizimin e tyre.

Në takimin në mes të biznesmenëve nga Kosova dhe Maqedonia, organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, ku ishin edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes  Kuçi dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Kosovë, ministri Beqaj ka thënë se Kosova ka vënë masa reciprociteti me Serbinë dhe  është vendosur që për asnjë moment të mos lëshoj pe në këtë drejtim.

“Biznesi i Kosovës por edhe të gjithë qytetarët e kanë parë një vendosmëri të qartë të Republikës së Kosovës, të institucioneve tona për të vënë rend dhe ligj brenda territorit të Kosovës dhe në këtë këndvështrim është angazhim i drejtpërdrejtë i biznesit, i ekonomive të vendit tonë dhe të vendeve të rajonit që të furnizojnë tregun sa më mirë. Tregu i Kosovës nuk ka asnjë lloj mungese, është i furnizuar shumë mirë fal angazhimit të biznesit dhe ky takim i sotëm është duke i trajtuar mundësitë e bashkëpunimeve afatgjata që ndërmarrjet nga Republika e Maqedonisë të tentojnë të zëvendësojnë produktet që më herët kanë ardhur nga Serbia dhe të hyn në tregun e Kosovës për të qëndruar gjatë dhe për të krijuar marrëdhënie partneriteti  të dyanshëm”, ka thënë ministri Beqaj.

Ministri Beqaj theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme për të krijuar çfarëdo lloj mbështetje institucionale për të vënë rend dhe ligj dhe për të krijuar një konkurrencë të lirë.

“Unë i inkurajova të dy odat ekonomike që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë që qytetarët e Kosovës jo vetëm të jenë të furnizuar por të jenë të furnizuar me mallra të cilët janë të cilësisë së lartë, me çmime konkurruese , por njëkohësisht të krijojnë mundësi që prodhimi ynë kosovar të jetë sa më prezent në tryezën e secilit qytetar por njëkohësisht të gjënë tregje edhe në vendet e rajonit në këtë rast në Republikën e Maqedonisë”, tha ministri Beqaj.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit vlerësoi rëndësinë e takimit të sotëm dhe tha se ka për qëllim rritjen e shkëmbimit tregtar në mes të dy shteteve tona, me qëllim të mbulimit të boshllëku që mund të ndodh, por i cili nuk ka ndodh.

“Sot janë më se 40 kompani kosovare dhe maqedonase, të cilat janë në sektorin e ndërtimtarisë, agrobiznesit, sferave të tregtisë, industrisë dhe shërbimeve për të gjet rrugë bashkëpunimi dhe komunikimi në mes veti. Kjo neve na obligon që konsumatorit tonë ne t’i ofrojmë alternativa të mira sepse aleanca ka qenë një nga të parat që ka kërkuar masat e reciprocitetit dhe nuk guxojmë të lejojmë që qytetari të ndien mungesën e produkteve, por as rritjen e çmimeve. Pra duke i dal përball kërkesave të konsumatorëve ne po bëjmë aktivitete të vazhdueshme me biznese dhe me shtete të tjera për rreth që të kemi produkte të mjaftueshme në tregun e Kosovës” , tha Shahini.

Menderes Kuçi , kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore vlerësoi se përkundër masës së reciprocitetit në marrëdhënie tregtare me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën po dëshmohet se Kosova nuk ka mungesë produktesh të nevojshme dhe se bizneset e Maqedonisë kërkojnë që të gjejnë veten dhe të bëjnë zëvendësimin e produkteve që importoheshin dikur nga Serbia.

“Pra, ne jemi këtu që ta sigurojmë Qeverinë e Kosovës se nuk do të lejojmë asnjë lloj abuzimi në këtë drejtim, ngase nuk është në interes të biznesit tonë të Maqedonisë që të tregtojmë me mallra të  huaja, përkundrazi është shans i mirë që të depërtohet në treg dhe aty të mbesim”, tha kryetari Kuçi.