Beqaj: Kosova e Re, në udhëkryq
Prishtinë, 12.09.2012 – Termocentrali “Kosova B”, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, do të rivitalizohet përmes partneritetit publiko-privat, ndërkohë që për projektin “Kosova e Re” ai thotë se ka ende çështje të hapura
Termocentrali “Kosova e Re” është në udhëkryq. Pas heqjes së termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese janë lëvizur të gjitha vendimet sa u përket aksioneve dhe kapaciteteve të termocentralit të ri. Madje, nuk dihet ende nëse investitorët e parakualifikuar janë të interesuar për këtë projekt dhe nëse do të jetë e nevojshme shpallja e tenderit për herë të tretë, ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Po ashtu, ministri Beqaj ka thënë t’ia ketë bërë të qartë KEK-ut se ëndrra e tyre për mbajtjen në jetë të “Kosovës A” pas vitit 2017 është e parealizueshme. Në intervistë, ministri ka folur edhe për privatizimin e Distribucionit, PTK-së, por edhe për kundërshtarët e këtyre privatizimeve.
Koha Ditore: Si po menaxhohet procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike?
Beqaj: Çështja e privatizimit është një ndër çështjet më kërkuese në vendet transitore. Ne si qeveri kemi kompetenca për ndërmarrjet publike, që është një proces i ndjeshëm pasi janë ndërmarrje publike të cilat duhet të ofrojnë shërbime për qytetarët. E kemi filluar në një situatë të padefinuar mirë, qoftë në aspektin ligjor, qoftë në aspektin e zhvillimit të projekteve dhe na ka marrë kohë derisa e kemi përcaktuar bazën e qartë ligjore për këto procese. Por njëkohësisht derisa i kemi vënë raportet korrekte në mes të institucioneve publike, qeverisë dhe këshilltarëve të transaksionit, të cilët në momente të caktuara nga e kaluara kanë pasur ndjenjën se duhet të jenë në ballë të aktiviteteve dhe jo të jenë në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjës në raport me qeverinë. Është dashur të ndërrohet një sistem i tillë.
Koha Ditore: Çfarë nënkupton ky ndërrim?
Beqaj: Ky ndërrim është që në çdo vendim që e marrim në komitetet e privatizimit apo komitetin drejtues që e kemi në “Kosovën e Re” paraprakisht ne kërkojmë nga këshilltarët e transaksionit që të na tregojnë nëse vendimet janë në harmoni me ligjin dhe procedurat. Ata e mbajnë përgjegjësinë ligjore dhe jo ne si politikë. Pra, ata janë përgjegjës, sepse për atë punë paguhen. Kjo në fillim ka qenë shumë shqetësuese për ta.
Koha Ditore: Ka pasur shumë reagime për privatizimin e Distribucionit, e sidomos rreth vlerës së tij maksimale, që është thënë të ketë qenë shumë i ulët.
Beqaj: Procesi i privatizimit të Distribucionit është një ndër proceset më të mira në rajon. Një, për shkak të procedurave që janë ndjekur e që kanë qenë shembull dhe po ashtu për shkak se e kemi caktuar vetëm një kriter për të përcaktuar fituesin, e ai kriter është çmimi. A është çmimi i mirë apo i keq, kjo është çështje e strukturës së transaksionit. Ne kemi pritur që çmimi të jetë më i madh. Të gjithë kemi pritur që çmimi do të duhej të ishte më i madh, po kjo është ekonomia e tregut dhe ky çmimi është bërë në bazë të parametrave rregullues që i ka caktuar rregullatori që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Pra, nuk ka qenë në kompetencë të qeverisë të marrë vendime për parametrat rregullues, por është në kompetencë të Rregullatorit që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Mendoj që rregullatori ka bërë një punë me përgjegjësi afatgjatë për qytetarët dhe jo diçka momentale, por marrja e veprimeve afatgjatë edhe më tutje ka afekt pozitiv, sepse kërkojmë sot për sot.
Blerësit të Distribucionit i merret pronësia nëse nuk i plotëson kushtet
Koha Ditore: Cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar në çmimin e ofruar?
Beqaj: Ne nuk kemi marrë obligime për mosinkasim, siç kanë marrë vendet e rajonit. Kjo na ka mundësuar ne që t’i shtyjmë ata që përmes investimeve të rrisin cilësinë e furnizimit me energji elektrike duke kërkuar që t’i ulin humbjet pa asnjë obligim të marrë nga shteti. Kjo ka qenë kërkesë e Rregullatorit. Unë s’kam dashur që të krijojmë çmime më të larta tash e t’i fusim konsumatorët në 18 vitet e ardhshme në obligime që kanë me iu paraqitë përmes çmimit më të lartë të energjisë elektrike. Po ashtu ne nuk ia kemi dhënë falë asnjë borxh të vjetër investitorit. Asetet 110 kV nuk i kemi privatizuar, por i kemi lënë në pronësi të shtetit – KOSTT-it, kurse Shqipëria ta zëmë e ka privatizuar edhe këtë aset. Po ashtu kemi lënë një klauzuol në kontratë që në rast se kompania në fjalë nuk i plotëson kriteret Qeveria ka të drejt të intervenojë dhe të marrë kompaninë pa kompensim.
Koha Ditore: I bie që mund të rikthehet pronësia?
Beqaj: Po, mund të rikthehet.
Koha Ditore: Po për cilat kritere bëhet fjalë?
Beqaj: Nëse nuk i plotëson obligimet që dalin nga kontrata që janë eliminimi i humbjeve, investimet e zotuara dhe aspekte të tjera. Konform tyre vlerësohet se a i kanë plotësuar apo jo këto kritere.
Koha Ditore: Kur pritet të nënshkruhet kontrata me “Limakun” për privatizim të Distribucionit?
Beqaj: Besoj që shumë shpejt do të nënshkruhet kontrata, pasi tashmë jemi në fazën finale të përgatitjeve. Afat kemi që deri në mes të muajit tetor të nënshkruajmë, mirëpo ne do ta bëjmë një gjë të tillë më herët.
Koha Ditore: Në proces për vite është edhe projekti “Kosova e Re”. Pse TC “Kosova B” është ndarë nga termocentrali i ri?
Beqaj: Ka qenë shumë problematike çështja e ndarjes. Kanë qenë tri arsye që është bërë ndarja e TC “Kosova B” nga projekti. E para, është që ne nuk kemi dashur që të futemi në obligim shtetëror deri në 40 për qind të GDP-së për një garanci që është dashur ta japë shteti. Pastaj në kushtet të tilla financiare që sot janë në botë është e vështirë të sigurohet përkrahje financiare, sepse projekti ka një kosto deri në 2 miliardë euro. Dhe e fundit kjo ka qenë kërkesë edhe e investitorëve.
Koha Ditore: Si do të përfshihet kapitali privat në rivitalizimin e “Kosovës B”?
Beqaj: Jemi duke shikuar modalitetet e trajtimit dhe funksionimit të “Kosovës B”. Asetet do të mbesin publike dhe do të futet në një partneritet publiko-privat dhe do të bëhet rehabilitimi i saj konform standardeve të BE-së.
Koha Ditore: Çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të projektit, termocentralin e ri?
Beqaj: Për “Kosovën e Re” do të vazhdohet me procedura. Ne tashmë jemi duke diskutuar me investitorët nëse edhe më tutje kanë interesim për këtë projekt në mënyrë që të procedohet. Por, nëse nuk kanë interesim, ne do të jemi të gatshëm që të hapim edhe njëherë procedurën për thirrjen e investitorëve të rinj, përmes një konference për investime, në mënyrë që të hapet mundësia e konkurrencës për një projekt të tillë. Ky nuk është privatizim klasik, pasi në rastin e “Kosovës B” kemi partneritet publiko-privat, kurse te rasti i “Kosovës së Re” flasim për shoqëri aksionare ku qeveria do të ketë aksionet e veta?
Koha Ditore: Keni marrë përgjigje deri më tani nga investitorët për interesin e tyre rreth “Kosovës së Re”?
Beqaj: Janë këshilltarët e transaksionit që janë duke u rikonfirmuar me ta. Unë besoj që diku brenda këtij muaji ne do të dalim me rekomandimet tona se si të ecet tutje me “B”-në dhe cilat do të jenë afatet kohore. Po ashtu do të dihet më shumë rreth “Kosovës së Re”.
Koha Ditore: Në vendimin e Qeverisë për “Kosovën e Re” është thënë se ka gjasa që sërish të hapet mundësia për investitorë të rinj për këtë projekt. A ka shprehur interesim ndonjë nga gjigantet që të hyjë sërish në garë?
Beqaj: Ne i mirëpresim të gjitha interesimet nga kompanitë për këtë projekt. Mirëpo, në rast se e hapin procedurën për parakualifikim të investitorëve të rinj, këtë do ta bëjmë përmes konferencave për investitorë, ashtu siç kemi vepruar me PTK-në. Do t’i ftojmë të gjitha kompanitë e njohura për t’ia prezantuar projektin tonë dhe pastaj ata të shohin interesin e tyre. Por, duhet të dimë një gjë që tregu prej 1.8 milionë do të jetë problematik me qenë aq shumë atraktiv sa flitet në opinion. Po ashtu gjendja financiare në botë është e vështirë dhe kompanitë e mëdha kanë obligime të ekuititetit kush e di sa.
Koha Ditore: Heqja e TC “Kosova B” nga pakoja tenderuese duket se i ka çrregulluar shumë parametra që ishin vendosur. Ta zëmë aksionet?
Beqaj: Jo, ende nuk është vendosur çështja e aksioneve. Shumë shpejt do ta kemi një takim të Këshillit drejtues të projektit “Kosova e Re”, prej nga do të caktojmë kriteret e reja. Kritere që konform kontributit shtetëror në projektin “Kosova e Re” në të ardhmen ne do t’i reflektojmë ato në aksione. Në çdo rrethanë, ne do të jemi aksionarë në kompaninë që do të krijohet nga “Kosova e Re”, pasi ne kontribuojmë me resurse natyrore. Por, nuk mund të flas ende për përqindje, sepse me këtë janë duke u marrë ekspertët.
Koha Ditore: Po ashtu nuk e dimë as kapacitetin që do ta ketë termocentrali i ri?
Beqaj: Dua të them se tek ne më shumë flasim për dëshira. Më parë nuk ka pasur ide të qartë të financimit, kur ka qenë kapaciteti i paraparë 2.000 megavate. Po ashtu nuk është vlerësuar se sa do t’u kushtojë ky investim qytetarëve të Kosovës, sepse çdo investim duhet t’u kthehet, ose në çmim të dikujt, ose në fazat tjera. Ideja ka qenë që të jetë një termocentral 600 megavate plus, pra të fillojmë me blloqe 300 megavatesh dhe pastaj të vazhdohet në mënyrë kronologjike. Tani është duke u diskutuar në mes të KEK-ut, KOSTT-it, këshilltarëve të transaksionit dhe mekanizmave tjerë për të definuar madhësinë e njësisë së parë, por gjithmonë duke lënë mundësitë edhe infrastrukturës dhe ligjore që konform nevojave të shkohet në zhvillime tjera.
Koha Ditore: Më herët është thënë se ndërtimi i blloqeve me madhësi prej 500 megavatesh është ekonomikisht më i favorshëm?
Beqaj: Prandaj nuk desha me fol për këtë apo atë madhësi. Por, nëse del që 500 megavate është më i favorshëm ekonomikisht dhe nëse në funksionimin e sistemit tonë është funksionale. Pra duhet të bëhet analiza e kostos dhe funksionaliteti të atyre njësive. Në momentin që unë marr nga të gjithë aktorët mendimet profesionale të tyre, ato pastaj ne mund t’i shndërrojmë në vendim vetëm pasi ata të pajtohen me njëri-tjetrin.
Koha Ditore: Kur pritet të bëhen ndryshimet ligjore për t’i mundësuar që linjiti të mos përdoret vetëm për djegie?
Beqaj: Ligji për miniera dhe minerale është në procedurë të amendamentimit dhe është bërë me iniciativë të Komisionit për zhvillim ekonomik të Kuvendit të Kosovës. Por, sidoqoftë çfarëdo vendimi që të merret në fushën energjetike duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës. Ne si ministri kemi kontribuar në këtë amendamentim dhe kërkojmë që ligji të jetë sa më i hapur për investime të reja, të jetë sa më i hapur për teknologji të reja dhe të jetë me procedura sa më të thjeshta, por me konfirmim dhe vendim të Kuvendit të Kosovës. Përveç mundësisë që përmes djegies së linjitit të prodhohet energji jemi duke amendamentuar ligjin që të gjejmë edhe mundësi tjera. Jemi duke shikuar një orientim krejt tjetër, një qasje profesionale e cila i adreson edhe zhvillimet tekniko-teknologjike në botë dhe jo vetëm resurset natyrore që i ka Kosova.
Koha Ditore: Kur do të mbyllet “Kosova A”?
Beqaj: Ne e kemi një obligim ligjor dhe e kemi një premtim shtetëror në raport me Bashkimin Evropian që viti 2017 do të jetë vit i përmbylljes së “Kosovës A”. Në këtë kontest nuk ka asnjë lloj hezitimi. E vetmja gjë që mund të bëjë ende të mos kemi ardhur te kapacitet e reja energjetike, por ky është një obligim që e kemi dhe pavarësisht dëshirave të KEK-ut, sepse KEK-u mund të ketë dëshirë që të veprojë edhe për 20 vite të tjera, por aksionar dhe vendimmarrës në këtë kontest është shteti dhe qeveria dhe ne nuk dëshirojmë që ta zgjasim më shumë. Jemi të vetëdijshëm që ndërtimi i kapaciteteve të reja sipas teknologjive të reja është prioritet më i lartë për shëndetin e qytetarëve dhe në kuptimin ambientalist. Është kompetencë e KEK-ut se çka bën deri në vitin 2017 në aspektin operativ, pasi nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në pjesën menaxheriale, por ua kemi bërë me dije që në vitin 2017 duhet të jenë të gatshëm që të mbyllet “Kosova A”.
Maqedonia – e interesuar të importojë qymyr nga Kosova
Koha Ditore: Pse kemi një shtrenjtim të tantiemë nga 0.27 në 3 euro?
Beqaj: Deri më tani kemi pasur një shfrytëzim të linjtit nga një ndërmarrje publike. Meqenëse sektori mund të hapet për partneritet publiko-privat, ne kemi dashur që tantiema prej 3 eurosh t’i japë vlerë ekonomike për resurset që shfrytëzohen. Sepse mund të ndodhë që e hapim tregun për shitje të qymyrit, pasi kemi një kërkesë nga Maqedonia që të blejë linjit nga Kosova dhe t’i furnizojë termocentralet e veta. Edhe me këtë çmim, ne ende jemi shumë më konkurrues me vendet tjera sa i përket linjitit.
Koha Ditore: Por koston e tantiemës e bart konsumatori përmes tarifave të energjisë?
Beqaj: Po, ajo bëhet pjesë, por paramendoni sesa ndikon ajo në çmim. Mos e dëgjoni KEK-un kur thotë se rritja e tantiemës e ka shtrenjtuar çmimin. Nëse e shohim strukturën e tarifave të energjisë e shohim një dallim të tillë. Rregullatori duhet të bëjë punën e vet profesionale për t’u argumentuar që çmimi i energjisë është real. Këtë duhet të bëjë ajo, e jo Qeveria dhe KEK-u. Tendenca për t’i shtyrë për më vonë ka qenë gabim, pasi në kushte reale në botë çmimet ecin se paku konform me normën e inflacionit. As KEK-u, as KOSTT-i e as Rregullatori nuk janë këtu për të bërë politikë, pasi ajo bëhet në Qeveri dhe Parlament.
Koha Ditore: Një herë ka dështuar privatizimi i PTK-së. A do të arrihet tani që të privatizohet?
Beqaj: Ne e kemi miratuar pakon e dokumenteve tenderuese. Edhe këtu është përdorur parimi që çmimi më i lartë e përcakton fituesin. Tashmë u është dërguar të gjithë investitorëve ftesa për ofertim dhe do të jetë e hapur për 2 muaj. Gjatë kësaj kohe ne do të presim komente në dokumente, por edhe ofertat. Jam shumë i bindur që brenda këtij viti do ta shpallim fituesin.
Koha Ditore: Çfarë detyrimesh do të ketë investitori në raport me objektet e PTK-së që tashmë i kanë kaluar kompanisë Posta e Kosovës?
Beqaj: Të gjitha asetet e PTK-së i kanë kaluar kompanisë së re shtetërore Posta e Kosovës, me përjashtim të atyre aseteve që lidhen me funksionim të Telekomit dhe Valës. Do ta obligojmë me kontratë investitorin që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Postën për shfrytëzimin e objekteve të saj me qira dhe të gjitha shërbimet postare të Telekomit dhe Valës do t’ia kryejë PK-ja. Me këtë ne i kemi siguruar mbi 9 milionë e 200 mijë euro të hyra në bazë vjetore postës. Pra, me këtë ne kemi arritur t’i sigurojmë funksionimin e Postës pa pasur nevojë për subvencionim duke llogaritur në një menaxhim të përgjegjshëm dhe funksional, në një menaxhim që do të ketë parasysh standardin e Kosovës dhe jo çështjet individuale të veta.
Koha Ditore: Ka pasur një peticion kundër privatizimit nga sindikalistët dhe disa OJQ?
Beqaj: Lëvizjet e fundit janë një agjendë politike dhe jo lëvizje për mbrojtjen e interesave të punëtoreve. Nuk mundet asnjë sindikatë të flasë në emër të popullit, pasi ata mund të flasin vetëm në emër të punonjësve. Por, ata duhet të japin llogari publike para qytetarëve për përdorimin e atyre mjeteve. Pra, nuk mund të dalë dikush të bëjë peticion se privatizimi është kundër popullit nëse ky privatizim është marrë me vendime të një kuvendi që e bën përfaqësimin e popullit. OJQ-të, sindikatat nuk mund të përfaqësojnë popullin.
Koha Ditore: Thoni që BSPK-ja po bashkëpunon me parti opozitare?
Beqaj: Sindikata ka hyrë në agjendë politike. Kjo më së paku është mbrojtje e punëtoreve. Sindikata do të duhet të flasë për kontratat e punëtorëve, formën e ruajtjes së interesit të punëtorëve. Nëse e kemi BSPK-në që po e udhëheq peticionin, atëherë them se nëse dikush është meritori më i madh për proces të privatizimit në këtë kontest është BSPK-ja, jo vetëm në ndërmarrjet publike, por në përgjithësi, sepse kryetari i BSPK-së është i ulur në Bordin e Agjencisë së Privatizimit dhe merr vendime për privatizim. Nëse ata e shikojnë privatizimin si shkatërrim, atëherë BSPK-ja duhet të sqarohet me vetveten se a janë pjesë e këtij shkatërrimi. Sidomos kur flasin për privatizim të “Trepçës”, sepse ende nuk është diskutuar për një gjë të tillë, sepse ende nuk dihet se si do të rivitalizohet kjo ndërmarrje. Thjesht po `e përdorin për të luajtur me ndjenja të punëtorëve të PTK-së.

