Beqaj: Industria e drurit premtuese për vende të reja pune
Prishtinë, 24.04.2013 – Qeveria e Republikës së Kosovës në agjendën e vet e ka forcimin e sektorit privat që nënkupton zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj në hapje të Panairit të mobilierisë “Natyra 2013”, në të cilën janë prezantuar produkte druri nga Kosova, Shqipëria, Italia etj.
Ministri Beqaj tha se politikat e Qeverisë janë të orientuara të krijojnë infrastrukturë e cila mundëson që ndërmarrjet të fuqizohen çka nënkupton edhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.
“Produktet e drurit tashmë po gjejnë treg në nivel ndërkombëtar dhe kjo industri premton shumë në vitet e ardhshme, ndërsa bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë sektor e ka mundësuar infrastruktura, e cila tani po mundëson komunikime më të mira për këto dy tregje, të cilat mund të integrohen”, ka thënë Beqaj.
Kreu i MZHE duke u ndalë te bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka bërë të ditur se qeveritë e dy vendeve janë duke punuar në integrimin energjetik dhe këto procedura janë duke vazhduar në funksion të krijimit të stabilitetit energjetik.
“Ne këto vite kemi punuar shumë. Ndër temat aktuale është integrimi i tregut energjetik i Kosovës me atë të Shqipërisë, procedura që janë duke vijuar në funksion të krijimit të stabilitetit energjetik që ka qenë kohë të gjatë njëra ndër pengesat e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe prodhimin në Kosovës” ka thënë ministri Beqaj, duke shtuar se tashmë dy vjet pothuaj është harruar ndalja e energjisë për industrinë.
Ministri Beqaj më këtë rast ka ftuar qytetarët që të vizitojnë panairin ”Natyra 2013” në mënyrë që të shohin që ky dizajn është konkurrues edhe në vendet tjera.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se industria e drurit është një segment i rëndësishëm i cili premton krijimin e vendeve të reja të punës.
Sipas tij, ekspozimi i produkteve nga përpunimi i drurit mundëson që të gjithë të njoftohen me cilësinë që sjellin bizneset e ndryshme në këtë panair dhe shtoi se kjo cilësi mund të depërtojë në tregun ndërkombëtar.
Kryetari i Shoqatës së Përpunimit të Drurit të Shqipërisë, Dashamir Biçaku tha se potencialet e këtij sektori dhe bashkëpunimi në këtë sektor me Kosovën do të jetë shtytës me rëndësi për ekonomitë e dy vendeve, ndërsa ka shtuar se tashmë kjo industri ka filluar të prodhojë me standarde evropiane falë teknologjive të reja.
Nga ana e tij Kryetari i Shoqatës të Përpunuesve të Drurit në Kosovës, Hashim Deshishku tha se prodhimi nga industria e drurit çdo vit po shënon rritjen e kualitetit, ndërsa tashmë numri i prodhuesve nga industria e drurit ka arritur 1400.
Ndryshe Panairi “Natyra” 2013 “, është organizuar Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës dhe Shoqata e Përpunimit të Drurit e Shqipërisë, ndërsa është ndihmuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.