Beqaj: Biznesi, promotor i marrëdhënieve Kosovë-Greqi

Prishtinë, 17.04.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka ftuar biznesmenët grekë të vazhdojnë marrëdhëniet e mira me Kosovën dhe t’i zhvillojnë ato edhe më tutje në të ardhme, duke shtuar se marrëveshjet konkrete mes dy ekonomive të bëhen edhe promotor i marrëdhënieve politike Kosovë-Greqi.
Këto komente Beqaj i bëri në hapje të Forumit për Marrëdhënie Ekonomike Kosovë-Greqi ku po marrin pjesë rreth 100 afaristë grekë, me ç’rast vlerësoi se marrëdhëniet e mira ekonomike mes dy vendeve.

“Nga të dhënat që kam marrë rezulton që ne importojmë mjaft shumë nga Greqia, derisa kemi filluar të eksportojmë pak, por nuk është një sistem i qëndrueshëm për të pas marrëdhënie bilaterale, kështu që do të mundohemi të kemi një balancë  më të mirë ekonomik mes Kosovës dhe Greqisë”, tha ai.

Ministri Beqaj tha se mes dy vendeve ka relacione të mira ekonomike dhe Kosova është falënderuese ndaj Greqisë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës për të qenë pragmatik në marrëdhëniet dhe jo për ta mbajë peng Kosovën në shtegun evropian për integrim evropian.

Kreu i MZHE-së shprehu shpresën se Rezoluta e djeshme e Parlamentit Evropian për heqjen e fusnotës për Kosovën nga dokumentet do të ketë ndikim të madh në 5 shtetet mosnjohëse të BE-së.

“Kjo është qasja më pragmatike dhe praktike që anëtarët që se kanë njohur Kosovën do të japin kontribut të drejtpërdrejtë jo vetëm në liberalizim të vizave po në përgatitjen e plote të Kosovës si shtet që do të sjell vlera evropiane në BE”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj e quajti një ditë të madhe për gjithë regjionin vazhdimin e dialogut mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, duke theksuar gatishmërinë e Kosovës për të ecur përpara, duke qenë e bindur se BE nuk është me e gatshme të ketë probleme dhe një vend që ka aspirate territoriale, prandaj të shpreson që të nënshkruhet marrëveshja që do të hapë perspektivë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

Duke u ndalë te zhvillimet ekonomike, Beqaj tha se ekonomia e Kosovës po rritet përkundër krizës me përkrahjen e sektorit privat, për shkak investimeve të mëdha që po ndodhin nga buxheti i Kosovës, ku 40 për qind i dedikohet investimeve kapitale bazuar në reforma, ndërsa tha se Qeveria do të mundohet t’i heq të gjitha pengesat për bizneset duke bërë një ekonomi funksionale me rritjen e aktivitetit në sektorin privat.

I pari i MZHE-së vuri në dukje se Kosova është duke u listuar mjaft lart  krahasuar me vite e kaluara, 32 pozita më lartë në raportin e BB që thotë  se të gjitha procedurat tona janë zvogëluar, ndërsa premtoi se të merren të gjitha hapat e nevojshëm që bizneset të trajtohen mirë.

Ministri Beqaj ka potencuar se energjia është një sektor tjetër ku do të punohet shumë, ndërsa shtoi se janë implementuar reforma të mëdha në këtë sektor.

“Tani së voni kemi privatizuar distribucionin e energjisë elektrike me dy kompani të Turqisë, por kemi përfshirje të kompanive greke në planet e ardhme, ku një kompani greke ka hyrë në konzorcium me kompani amerikane. Janë tri kompani të parakualifikuara për 1 miliard euro dhe ne shpresojmë që këtë vit të nënshkruajmë marrëveshje me ta”, tha ai.

Ministri më tej tha se privatizimi i PTK-së është në proces ku kemi dy kompani që garojnë se voni ky vendim është kaluar në Qeveri dhe tani do të shkohet më tutje me të dhe shpreson që kompania ta nënshkruaj kontratën.

Sipas Beqajt, në të kaluarën nuk ka pasur investime, ndërsa sot nga Kosova portin e Durrësit mund ta arrij për 2 orë e gjysmë, por kjo nuk do të jetë vetëm një rrugë që ekonomia jonë mundohet të dal në det, sepse ne do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim edhe me portin e Selanikut duke pasur parasysh që Qeveria e Kosovës këtë vit ka bërë një buxhet që të nis autostradën për Shkup , e cila do të jete lidhje më e lehte me Selanikun ekonominë greke dhe atë kosovare.

“Në Maj ne do të kemi një konferencë të madhe të donatorëve në sektorin e energjisë efiçiente, të ripërtëritshme dhe dekomisionimin e TC Kosova A. Kjo konferencë do të jetë me 14 maj dhe ftoj që të gjithë juve të merrni pjesë në mënyrë që në të ardhmen të shikohet ndonjë partneritet i mundshëm në projektet e energjisë solare, të erës, gazit”, tha ai.

Beqaj tha se në këtë konferencë do të kenë përkrahje nga Banka Botërore Banka Evropiane, ndara ka falënderuar Greqinë që ka votuar  pro anëtarësimit të Kosovës në BERZH, ku tani vendi është anëtar i plotë dhe tani kjo Bankë po aprovon  strategjinë për Kosovën.

“Siç po e shihni shumë mundësi ekzistojnë, shumë biznesmenë janë këtu,  që kanë kujtime të mira nga marrëdhëniet e mira Kosovë – Greqi, duam t’i përtërijmë dhe shpresoj që kjo do të shërbejë si mjet për pranimin e Kosovës nga Greqia. Ky është një hap përfundimtar që duhet të përshpejtohet me marrëdhënie ekonomike”, tha ai, duke mirëpritur vendimin për hapjen e Zyrës Ekonomike Kosovare në Greqi që do t’i fuqizojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe më gjerë.