Bashkimi Evropian disburson fondet e mbetura për përfituesit nga subvencionimi për efiçiencë të energjisë
Prishtinë, 26 gusht 2025 – Qeveria e Republikës së Kosovës ka pranuar këstin e fundit nga Bashkimi Evropian, ku ka përmbyllur me sukses disbursimin e fondeve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023), duke ekzekutuar 7.5 milionë euro shtesë nga totali prej 75 milionë eurosh që BE-ja ka alokuar për këtë pako.
Nga këto fonde Ministria e Ekonomisë do të disbursoj edhe përfituesit e fundit, 1,459 përfitues individualë dhe 10 biznese deri në fillim te shtatorit.
Prej vitit 2022, fillimisht përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë e tutje me mbështetje të Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin
ME ka përfunduar me sukses të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që përcakton funksionimin e Komitetit Drejtues dhe Koordinues për zbatimin e Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike. Raporti përfundimtar i implementimit është dorëzuar më 28 shkurt 2025 në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ministria e Ekonomisë, falënderon Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe besimin që e bën të mundur realizimin e programeve të tilla, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.