Bashkëpunimi ekonomik bazë e bashkëpunimit edhe në fusha tjera

Prishtinë, 6 shtator 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE ) Besim Beqaj gjatë takimit me prefektin e Zagrebit, Millan Bandiq ka vlerësuar se bashkëpunimi ekonomik paraqet bazë për bashkëpunim edhe në fusha tjera.  “ Biseduam edhe për bashkëpunimin ekonomik, i cili duhet të jetë bazë e të gjitha bashkëpunimeve dhe për potencialet që ka Kosova në pozicionimin e saj në nivel rajonal qoftë për mes resurseve natyrore qoftë  përmes popullsisë së re, e cila është e gatshme të hyj në garën konkurruese drejt UE –së”, tha ministri Beqaj pas takimit me perfektin e Zagrebit.

Ministri Beqaj tha se gjatë takimit është konstatuar se  niveli i bashkëpunimi dhe harmonizimi  politik dhe ekonomik në mes të dy vendeve është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe theksoi se kjo është vërtetua edhe me vizitën e  kryeministres Kosor para disa ditësh. 

“Ne diskutuam për raportet e pushtetit qendror me atë lokal sa i përket ndërmarrjeve publike, gjithnjë duke marr shembujt më të mirë për shërbimet shembullore ndaj qytetarëve të vendit dhe mendoj që kryetari Bandiq me përvojën e tij 11 vjeçare, duke qenë kryetar i një qyteti jashtëzakonisht të madh na ofroi sugjerimet dhe gatishmërinë e tij për të na ofruar ndihmë në fushën e definimit të kompetencave të ndërmarrjeve publike në nivel qendror dhe lokal”, tha ministri Beqaj.

Prefekti i Zagrebit, Millan Bandiq theksoi se vizita e tij në Kosovë është pjesë e kontinuitetit të filluar me marrëdhëniet shumë të mira të filluara nga ish presidenti Stipe Mesic, kryeministrja Jadranka Kosor dhe presidenti aktual Ivo Josipoviq. “Mendoj  se është detyrë e kryeqytetit të Republikës së Kroacisë  jo vetëm të vazhdojmë kontinuitetin e marrëdhënieve të mira por të thellojmë edhe më tepër marrëdhëniet  e bashkëpunimit të dy kryeqyteteve”, tha prefekti Bandiq. “ Bandiq ka pohuar se është fascinuar nga rinia e Kosovës të cilën e ka vlerësuar si kapitalin më të madh të Kosovës por edhe me gjerë. “ Ajo që më ka fascinuar e  që është kapitali me i madh i këtij shteti të ri, është rinia e Kosovës. Jam fascinuar nga rinia e arsimuar që  është ardhmëri jo vetëm e Kosovës, e regjionit por nesër edhe e Evropës.

Ai theksoi se gjatë takimit me ministrin Beqaj kanë pas shkëmbim të mendimeve lidhur me çështjet, të cilat lidhen me funksionimin e pushtetit lokal dhe falënderoi ministrin Beqaj për gatishmërinë e shprehur për të përkrahur pjesëtarët e komunitetit kroat që jeton në Kosovë.