Banka Evropiane për Investime e gatshme të mbështesë Kosovën
Prishtinë, 07.06.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë ka pritur sot një delegacion të Bankës Evropiane për Investime (EIB), të udhëhequr nga Anton Rop nënpresident i kësaj banke, ndërsa i pranishëm ishte edhe Samuel Zbogar shef i Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Ministri Ismajli njoftoi delegacionin e EIB-së me aktivitetet kryesore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ai shtoi se nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim të Kosovës me EIB është tejet i mirëseardhur dhe do të ndihmojë drejt mbështetjes së projekteve që do të japin kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit në vend.
Gjatë takimit me delegacionin e EIB, rëndësi e veçantë iu kushtua zhvillimeve të sektorit të energjisë dhe mbështetjes të nevojshme në këtë sektor, duke përfshirë këtu dhe energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, ndërsa u shqyrtua mundësia për mbështetje edhe të sektorëve tjerë që mbulon MZHE.
Nga ana e tij, Nënpresidenti i EIB, Anton Rop e njoftoi Ministrin Ismajli se Banka Evropiane për Investime është e gatshme të mbështesë Kosovën në projekte të rëndësishme për vendin, kryesisht në projekte të infrastrukturës publike, sektorit të energjisë dhe mbështetje të sektorit privat.