Banka Evropiane e Investimeve mbështet projektet në sektorin e energjisë

Prishtinë, 03.10.2017 – Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbështetur projekte konkrete në Kosovës, ka bërë të ditur përfaqësuesi i saj, Konstantinos Mastrogiannopoulos, i cili së bashku me një delegacion të UNDP-së, të prirë nga Alessandra Roccasalvo, zv. Përfaqësuese e Përhershme, u takuan sot me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka.

Me këtë rast, Ministri Lluka njoftoi përfaqësuesit e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara me zhvillimet ekonomike në vend, me theks me prioritetet e MZHE-së gjatë këtij mandati qeverisës.

Kreu i MZHE-së ka bërë të ditur se sektori i energjisë është ndër sektorët prioritar, pa zhvillimin e të cilit nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, duke potencuar se krahas ndërtimit të kapaciteteve të gjenerimit të energjisë një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet rritjes së efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve, Konstantinos Mastrogiannopoulos ka rikonfirmuar interesimin e këtij institucioni financiar që të vazhdojë mbështetjen e Kosovës me projekte konkrete në fushën e energjisë, i bindur se nuk do të mungojë bashkëpunimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, respektivisht MZHE-së.