Banka Botërore përkrah energjetikën në Kosovë
Prishtinë, 16.03. 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, është takuar me përfaqësuesit e Bankës Botërore të kryesuar nga Jane Armitage, Drejtoreshë për Evropën Juglindore dhe drejtori i Zyrës së BB-së për Kosovë, Jan-Peter Olters.
Gjatë takimit u theksua se Kosova ka treguar pjekuri të shtuar fiskale që nga gjysma e dytë e vitit 2011 duke mbajtur deficitin e ulët dhe duke dakorduar me sukses një Marrëveshje të re Stand Bye (SBY) me FMN. Këto suksese të rëndësishme e bëjnë Kosovën një vend model në këto kohë të trazuara në aspektin fiskal për Evropën.
Në takim u diskutua edhe për përkrahjen e ardhshme të Grupit të Bankës Botërore për projekte të rëndësishme, të cilat po implementohen në Kosovë në sektorin e energjisë, me një fokus special në projektin energjetik Kosova e Re si dhe në projekte në fushën e promovimit dhe gjenerimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme dhe në fushën e efiçiencës së energjisë.
Gjatë takimit u bisedua edhe për projekte konkrete në fushën e përmirësimit të furnizimit dhe cilësisë së ujërave, cilësisë së ajrit dhe involvimin e të gjitha palëve relevante në monitorimin e këtij procesi.
Gjithashtu u arrit pëlqimi që gjatë këtij viti të organizohet një konferencës e donatorëve në të cilën tema të diskutimit do të jenë efiçienca e energjisë, energjia e ripërtëritshme dhe projektet tjera në sektorin e energjisë.

