Arrihet dakordim mes JICA dhe MEA për zgjatje të projektit “Zhvillimi i Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”

 

Prishtinë, 30 Korrik 2020 – U.D. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, z. Mentor Sylmeta dhe Shefi i Kabinetit të Ministrit z. Bedri Berisha zhvilluan një takim virtual me znj. Chie Shimodaira, Drejtoreshë dhe z. Keita Harada nga Departamenti i Mjedisit Global, zyra qendrore e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në Tokyo, z. Jiro Takeichi, Përfaqësues Kryesor, Zyra e JICA-s për Ballkanin dhe znj. Tomoko Unaki, Këshilltare për Formulimin e Projekteve, Zyra e JICA-s për Ballkanin dhe Ekipi i Ekspertëve të JICA-s.

 

Zyrtarët e JICA prezantuan mbështetjen e JICA që i është dhënë Republikës së Kosovës, në shumë fusha duke përfshirë edhe projektin i cili është në zhvillim e sipër “Zhvillimi i Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”. Ndërsa nga ekspertët e JICA u prezantuan të arriturat e këtij projekti.

 

Për shkak të pandemisë Covid-19, është e pamundur që të vijnë ekspertët e JICA për përfundim të projektit të lartëpërmendur, kështu që MEA dhe JICA u dakorduan për zgjatjen e projektit deri në përmirësimin e gjendjes nga kjo pandemi.

 

U.D. Sekretari i MEA-së z. Mentor Sylmeta i ofroi mbështetje ekspertëve të JICA-së për finalizimin e projektit dhe iu falënderua JICA për gjithë mbështetjen e dhënë me shpresë për bashkëpunimin të mëtutjeshëm edhe në të ardhmen.