500 nxënës nga Obiliqi dhe Fushë-Kosova paramendojnë jetën pa TC Kosova A
Prishtinë, 27 nëntor 2012 – Me përkrahjen e Zyrës së Bashkimit Evropian/EUSR, Ministria e Zhvillimit Ekonomik fillon fushatën e vetëdijesimit publik “Jeta pa TC Kosova A”.
Prishtinë: 500 nxënës nga gjashtë shkolla në komunën e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit po marrin pjesë në një konkurs vizatimi e pikture, tema e të cilit është “Jeta pa TC Kosova A”. Konkursi është pjesë e fushatës së vetëdijesimit publik, e cila synon të promovojë rëndësinë dhe përparësitë e dekomisionimit të ardhshëm të Termocentralit Kosova A, për mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit publik të popullsisë së dy komunave, por edhe të Kosovës në përgjithësi.
“Jam shumë e gëzuar të jem pjesë e këtij aktiviteti, si dhe të ofroj kontributin tim për një kauzë që është tejet e rëndësishme për ne dhe për mjedisin në të cilin jetojmë. Për më tepër, unë shpresoj që termocentrali Kosova A do të dekomisionohet, si dhe të kemi më shumë mundësi të shohim diellin dhe të thithim ajër të pastër”, tha Diana Maloku, nxënëse pjesëmarrëse në konkurs nga shkolla “Selman Riza” në Fushë-Kosovë. Veprat e Dianës do të fotografohen dhe vendosen në një faqe në Facebook (https://www.facebook.com/Jetapakosovena?fref=ts), e cila është krijuar si pjesë e fushatës së vetëdijesimit, si dhe që ka marrë tashmë disa qindra “like”. Veprat e krijuara nga pesëqind nxënës fillimisht do të vlerësohen nga shkollat. Juria kombëtare, e përbërë nga profesionistët e pikturës dhe mjedisit, do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare, e cila do të prezantohet publikisht në një ekspozitë në Prishtinë dhe në një katalog të shtypur.
“Jam i kënaqur që shkolla jonë dhe nxënësit tanë janë pjesë e këtij aktiviteti. Përveç kontributit në një çështje tejet të rëndësishme mjedisore, konkursi është mundësi shumë e mirë për zhvillimin e aftësive praktike dhe artistike të nxënësve”, thotë Z. Besim Zymberi, Mësimdhënës i Artit në shkollën “Selman Riza”. Shkollat tjera pjesëmarrëse janë ajo e Lismirit dhe Mihal Grameno në Fushë-Kosovë, si dhe shkollat “Ibrahim Rugova”, “Liria” dhe “Abdurrahman Gërguri” në komunën e Obiliqit.
Fushata është dizajnuar si pjesë e projektit “Përkrahja e mëtutjeshme për Procesin e Dekomisionimit të TC Kosova A”. Projekti, përfituese e të cilit është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është iniciuar dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe është implementuar nga Resources and Logistics (RaL), në partneritet me Italtrend.
Për më shumë informata për fushatën, kontaktoni me Z. Naim Zeqiri, Drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik – Tel: 038/200-215 05, Email: Naim.R.Zeqiri@rks-gov.net – ose Z. Birol Urcan, Menaxher në BConsult – Tel: 044 112 097, Email: birol@bconsultcom.com

