3CIS shembull i suksesit përtej tregut të Kosovës

Prishtinë, 25.04.2013 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) pas reformës që e ka bërë në fushën legjislative me Ligjin e aprovuar për Komunikime Elektronike si dhe me aprovimin nga Qeveria të dokumentit të Politikave të Komunikimeve Elektronike do të fokusohet në zhvillimin e sektorit të TIK-ut si industri në vetvete, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri sot gjatë vizitës në kompaninë 3CIS e cila ofron shërbime profesionale të fushës së teknologjisë informacionit, ku u prit nga drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Gëzim Pula.

Me këtë rast ministri Beqaj ka vlerësuar se Kompania 3CIS është shembulli më i mirë i suksesit në Kosovë, por edhe në rajon në ofrimin e shërbimeve të TIK-ut në të gjitha anët e botës dhe për shumë kompani të klasit botëror.

“Modeli i suksesit të 3CIS-it do të jetë model që do të përpiqemi që ta përdorim në të gjitha përpjekjet tona strategjike për zhvillim të këtij sektori. Prandaj tani e tutje do të insistoj në ndërtimin e një partneriteti të fuqishëm në mes të sektorit të TIK-ut dhe Ministrisë sonë. Dera e MZHE-së do të jetë e hapur për adresimin e të gjitha nevojave dhe problemeve që mund të keni”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se beson në potencialin e TIK-ut edhe në aspekt të zhvillimit Ekonomik por edhe në aspekt të punësimit dhe të ndërtimit të një imazhi të ri për Kosovën nëpërmjet përdorimit dhe ofrimit të shërbimeve nëpërmjet këtyre Teknologjive të Reja.

Beqaj u shpreh i bindur që bërthama e krijuar përreth dhe në 3CIS do të zgjerohet dhe duhet të zgjerohet në mënyrë që rinia kosovare të mund të punojë në kompani të klasit botëror siç është 3CIS-i.

“Jemi të vetëdijshëm që suksesi Juaj nuk ka qenë pa probleme dhe pa sfida. Një sukses i tillë në kushte të konkurrencës shumë të madhe nga të gjitha anët dhe vendet e botës ka kërkuar një përpjekje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Ministri Beqaj bëri të ditur se gjatë këtij viti së bashku me STIKK-un, Universitetet dhe me mbështetjen e GIZ-it do të përpilohet Strategjia Kombëtare për Zhvillim të TIK-ut, dokument në të cilin do të adresohen nevojat e sektorit në përgjithësi por në veçanti nevojat e bizneseve që merren me këto Teknologji.

Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i 3CIS, Gëzim Pula vuri në dukje se kjo kompani ofron shërbime profesionale nga lëmi i inxhinierisë për rrjetat telekomunikuese si asaj fikse dhe mobile.

“Partnerët tanë dhe klientët tanë për të cilët ne ofrojmë shërbime janë partnerë dhe klientë të nivelit më të lartë botërorë. Ne konkurrojmë me të gjitha rajonet botërore për të marrë ato projekte që tregon se në atë konkurrencë nuk ka favore, por vetëm kualiteti i shërbimeve, saktësia na mundëson që ne të plasohemi, të jemi të konkurrueshëm dhe të suksesshëm në marrjen e atyre punëve”, tha ai.

Pula tha se potencialet me të cilat kryhen këto punë janë resurse të kësaj kompanie dhe kërkoi që institucionet të krijojnë lehtësira fiskale dhe tatimore me qëllim të stimulimit të këtij sektori.