200 familje në nevojë do të përfitojnë nga masa për efiçiencë të energjisë
Prishtinë, 01.10.2025- 200 familje në nevojë do të përfitojnë nga masa për izolimin e shtëpisë dhe masa të tjera të efiçiencës deri në vitin 2027 falë projektit “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”, në kuadër të marrëveshjes në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Danimarkës për përkrahje në fushën e energjisë, që do të zbatohet nga UNDP në partneritet me Fondin e Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Përfituesit janë identifikuar nga lista e përfituesve të Asistencës Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), bazuar në kritere të përcaktuara nga ekspertët e institucioneve përkatëse.
- Përparësi u është dhënë dy kategorive të familjeve:
- ku kryefamiljari është prind vetushqyes;
- që kanë persona me aftësi të kufizuar.
- Brenda këtyre kategorive, janë zbatuar kriteret për përzgjedhjen e familjeve:
- me më shumë pensionistë,
- me më shumë persona me aftësi të kufizuar,
- me prindër vetushqyes,
- që i përkasin komuniteteve jo shumicë,
- me numër më të madh anëtarësh,
- me më shumë anëtarë nën 18 vjeç,
- dhe varësisht nga burimi i energjisë që përdorin.
Ky projekt synon të përfshijë deri 200 shtëpi nga lista e përfituesve të ndihmës sociale, deri në vitin 2027.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për Kosovën.