Fjalimi i Ministres Rizvanolli në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Fjalimi i plotë i Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i mbajtur në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2021.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë të Republikës së Kosovës,

Ju faleminderit që keni kërkuar këtë debat parlamentar për të diskutuar një çështje aq të rëndësishme, e për të cilën ka shumë paqartësi e keqkuptime.

Së pari, dua të ju informoj që sot në mënyrë publike e ceremonial, së bashku me Kryeministrin Kurti kemi shënuar fillimin e punës në Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe kemi prezantuar vizionin e kësaj strategjie për dekarbonizim deri në vitin 2050, ndërkohë që:

– Ruajmë sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë për konsumatorët;
– Rrisim përdorimin e energjisë së pastër; dhe
– Sigurojmë integrim rajonal të tregut të energjisë, në radhë të parë me Republikën e Shqipërisë, por edhe me vendet tjera.

Kjo Strategji ka përkrahje me ekspertizë nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), por duke siguruar pronësi e udhëheqje nga ana e Qeverisë, e institucioneve tjera Kosovare.

Ne synojmë që draftin ta kemi në janar 2022, ndërsa ta përfundojmë në mars 2022, e pastaj ta sjellim në Kuvend për miratim.

Kjo do të jetë Strategjia e parë e energjisë që:

– Do të jetë e bazuar në të dhëna e studime;
– Nuk do të jetë një strategji që i përshtatet një projekti të madh (si termocentralet e mëdha me thëngjill), apo strategji e zhvilluar në mënyrë arbitrare, prapa dyerve të mbyllura e pa konsultim të ekspertëve e institucioneve Kosovare; si dhe
– Merr parasysh edhe interesat e qytetarëve e bizneseve dhe çmimet që do të paguajnë ata, si dhe ambientin ku i rrisim fëmijët, e ndryshimet klimatike në planetin tonë.

Këtij takimi të sotëm ceremonial i ka paraprirë një punë intensive përgatitore gjashtë mujore, gjatë të cilës kemi pasur diskutime të hapura, analiza e bashkëpunim me ekspertë vendor e të diasporës, organizata ndërkombëtare e ambasada të shteteve mike.

A e dini cili ka qenë komenti që kam marrë nga shumë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare? Po e citoj: “Është hera e parë që në Kosovë çështjet e sektorit të energjisë po diskutohen në mënyrë të hapur, e jo të nënshkruhen kontrata prapa dyerve të mbyllura.”
Unë jam krenare për këtë dhe shumë falënderuese ndaj të gjithë akterëve e ekspertëve që kanë kontribuar deri tani, e që do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillim e zbatim të strategjisë.
Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e saj si USAID dhe MCC, Bashkimi Evropian e shtetet evropiane në mënyrë bilaterale, jo vetëm që na kanë përkrahur me ekspertizë, analiza, këshilla e projekte konkrete që nga dita e parë e Qeverisjes, por janë zotuar për të na përkrahur edhe më tej në rrugën tonë për një tranzicion energjetik, që është ambicioz e njëkohësisht i realizueshëm e që siguron drejtësi sociale.

Rreth grantit të MCC-së dhe opsionit të përdorimit të gazit ka shumë keqinformime e paqartësi, pjesërisht nga shpifjet e qëllimshme që i janë servuar opinionit publik.

Unë sot dua të them shkurt edhe disa fakte për këtë çështje me shpresë të informimit më të mirë tuaj dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës:

1. Granti i MCC-së me vlerë deri 200 milionë dollar nuk është humbur. Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar!
– Granti do të përdoret për investime që i kontribuojnë integrimit të BRE-ve dhe në zhvillim të shkathtësive të të rinjve, me fokus të veçantë tek gratë.
– Marrëdhëniet me MCC-në, ShBA-të ose ndonjë institucion tjetër amerikan nuk janë rrezikuar dhe dëmtuar në asnjë moment. Ato janë të shkëlqyeshme!

2. Për çështjet e energjisë kemi pasur diskutime, konsultime e bashkëpunim me:

Ambasadën amerikane, MCC-në, USAID-in, Zyrën e Bashkimit Evropian e të gjitha ambasadat e agjencitë zhvillimore të vendeve kyçe partnere si Gjermania, Britania, Italia e edhe me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, si Greqia.
Në asnjë moment ky diskutim e bashkëpunim nuk ka qenë i shtyrë nga kërkesat, refuzimet/ pranimet, kushtëzimet e nënshtrimi ndaj njëri-tjetrit.
Bashkëpunimi ynë me këto vende e institucione bazohet në diskutim të hapur, të sinqertë e të bazuar në respekt të ndërsjellët. Secili prej tyre është zotuar që do të na përkrahë në arritjen e vizionit për dekarbonizim të sektorit, rritje të BRE-ve e tranzicion të drejtë energjetik për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Prezantimi i çështjeve të energjisë e të gazit brenda një kornize të stërthjeshtësuar e jo të vërtetë, siç është ajo kinse ShBA-të po kërkojnë e ne po refuzojmë, ose po kushtëzojmë projektin e gazit, Greqia po na kushtëzon njohjen e Kosovës me gazsjellësin, etj. nuk i bën nder këtij diskutimi.

Paraqitja e marrëdhënieve me ShBA-të e me partnerët tjerë ndërkombëtarë si marrëdhënie në mes të një pale që dëshiron të imponojë projekte – ata, e një pale që duhet të nënshtrohet ndaj imponimit – ne, jo veç që nuk ka lidhje me realitetin, por nuk i bën nder as shtetit të Kosovës, as ShBA-ve, e as marrëdhënies tonë që është e bazuar në respekt të ndërsjellë e që është shumë më e shëndoshë se që ju dëshironi ta paraqisni.

3. Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë dhe përdorimit të gazit si lëndë djegëse tranzicionale nuk është përjashtuar.
Asnjë nga tre studimet e fizibilitetit nuk kanë përfunduar. Dy prej tyre do të përfundojnë gjatë muajve në vijim.
Opsioni i gazit do të konsiderohet bashkë me opsionet tjera në kuadër të studimit të opsioneve për furnizim të energjisë në kuadër të Strategjisë dhe do të vlerësohet si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe ambiental.
Përndryshe, gazi nuk është burim i ripërtërishëm. Energjia e prodhuar nga gazi nuk është energji e pastër.

Gazsjellësi do të bëhet nëse kjo është në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës dhe në përputhje me Strategjinë.
Është logjikë e thjeshtë në politikëbërje nëse politikat i bën në përputhje me interesat e qytetarëve: së pari bëhen analizat, pastaj strategjia, e pastaj merren vendime për projekte.
Nëse bëhet apo jo, nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona, as me ShBA-të, as me BE-në, e as me ndonjë partner tjetër.

4. Si e keni vlerësuar efektin gjeopolitik të këtij projekti?
A keni bërë pyetje ndonjëherë se ku do të vazhdonte gazsjellësi prej këtu dhe çfarë ndikimi do të kishte në rajon?
A e dini ku do të vazhdonte?
Askund! Ky është ndikimi I këtij projekti në rajon.

5. Kriza energjetike në Evropë e në botë sot është pikërisht për shkak të çmimit të gazit. Përdorimi i këtij argumenti për të ndërtuar infrastrukturë gazi është i pakuptimtë.

6. ShBA-ja dhe Evropa janë duke tentuar të ulin përdorimin e gazit dhe të rrisin burimet e ripërtërishme.
Nëse nuk i lexoni dokumentet e programet qeveritare, ndoshta e keni parë një klip një minutësh që po qarkullon në media sociale të Zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

7. Ideja se përdorimi i gazit e ul varshmërinë energjetike gjithashtu është e pakuptimtë.