Lluka: Strategjia e Energjisë adreson sfidat e sektorit në planin afatgjatë

Prishtinë, 10.05.2018 – Pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohet sektori i energjisë ne nuk duhet të qëndrojmë indiferent, por duhet të punojmë me një plan më afatgjatë për zhvillimin e sektorit energjetik në vend, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Këto ai i bëri sot në tryezën ‘E ardhmja e sektorit të energjisë në Kosovës”, që u mbajt në Prishtinë nën organizimin e konsorciumit të organizatave të shoqërisë civile KOSID.

Duke u ndalur te gjendja aktuale në këtë sektor, Ministri Lluka tha se në Kosovë që 40 vjet nuk ka pas investime të reja sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike dhe, asetet e vjetra siç është TC “Kosova A” janë tërësisht të amortizuara, si dhe ndikojnë në ndotjen e mjedisit.

“Për më tepër furnizimi me energji elektrike nuk është stabil, kohë pas kohe kemi rënie të blloqeve dhe si i tillë ndikon në uljen e bizneseve në vend, po ashtu jokomoditet për qytetarët që jetojnë në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se masat e efçiencës së energjisë i kemi pas të limituara, ndërsa në investimet në energji të ripërtëritshme ka pas ngecje.

Kreu i MZHE-së vuri në pah se humbjet teknike dhe komerciale vazhdojnë  të jenë jashtëzakonisht të larta, sidomos nga kyçjet ilegale, vjedhjet e energjisë edhe pse ka pasur një përmirësim në 5 vitet e fundit.

Ministri Lluka tha se Strategjia e Energjisë 2017-2026 i adreson të gjitha çështjet e lartpërmendur në aspektin afatgjatë. “Planin afatgjatë ne e kemi paraparë edhe në Strategjinë e Energjisë të cilën e kemi kaluar në Parlament për 10 vitet e ardhshme. Jemi në një kohë kur duhet ta mbyllim TC “Kosova A” që është me një kapacitet prej 600 MW, i cili duhet të zëvendësohet me një kapacitet të ri ashtu siç e kemi paraparë me TC ”Kosova e Re”, që ka kapacitet prej 450 MW me 10% kapaciteti me kogjenerim. Pastaj duhet të investohet në rehabilitimin e TC “Kosova B” në mënyrë që të mbaj kapacitetin që e ka prej 600 MË në mënyrë që të kemi një jetëgjatësi së paku për 20 vitet  e ardhshme ashtu që ta kemi të sigurt atë energjinë bazë në vend”, tha ai.

Më pas, Ministri Lluka foli për burimet alternative të energjisë, duke shtuar se Kosova i ka dhënë diku rreth 450 MW licenca për energji të ripërtëritshme, mirëpo funksionale nuk janë as 35 MW, mirëpo në fund të këtij viti, pritet që t’i kemi rreth 100 MW funksionale, nga të cilat rreth 50 MË me erë, 35 MW me hidro dhe 10 MW solare.

“Kemi një aplikant përmes Ligjit për Investime Strategjike për parkun solar në Kosovë që parashihet të ndërtohet tek deponia e hirit me kapacitet prej 150 MË i cili do të jetë nga parqet më të mëdha në Evropë sa i përket parqeve solare dhe në momentin që do të realizohen të gjitha licencat do ta sillte në 600 MË prodhimin e energjisë së ripërtëritshme”, tha numri një i MZHE-së.

Sfidë në vete Lluka potencoi kontrollimin e kufijve energjetik, ku hyn raporti me Serbinë, ku është duke u punuar jashtëzakonisht me mbështetjen edhe nga Qeveria gjermane në drejtim të zgjidhjes së problemit sa i përket interkoneksionit. “Moszbatimi i kësaj marrëveshje po na pengon shumë edhe në integrimin me Shqipërinë, në integrimin rajonal si tërësi sa i përket optimizimit të energjisë”, tha ai.

Sipas Llukës, nëse shikojmë më gjatë, në vitin 2040  me mbylljen e  TC “Kosova B” synohet t’i kemi rreth 60% të kërkesës së energjisë të vijnë nga energjia e ripërtëritshme dhe gradualisht me jetëgjatësinë e TC “Kosova e Re” që parashihet të jetë dikur 30-40 vite, të shndërrohemi në një ekonomi ku energjia shumicë do të jetë energjia e ripërtëritshme dhe masat e efiçiencës do të jenë pjesë e saj.