Fuqizimi i gruas ndërmarrëse investim në zhvillim të qëndrueshëm

Prishtinë, 10.11.2015 – Investimi në fuqizimin ekonomik të gruas nuk është vetëm investim në individ, por është investim në shoqëri dhe investim në qëndrueshmërinë tonë si shtet ka deklaruar, Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, në konferencën “Barazia gjinore dhe ekonomia”, që u organizua nga Kolegji UBT- Prishtinë.

Në këtë konferencë e pranishme ishte Zëvendës presidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, Edmond Hajrizi – Rektor i UBT-së, përfaqësues të Zyrës së Presidentes së Kosovës, UNDP, Universiteti i Prishtinës shoqërisë civile.

Zv.ministrja tha se bazuar në të dhënat statistikore mbi fuqinë punëtore në vend të vitit 2013 rezulton se 0.5 milion gra janë të papuna, derisa dallimi në punësim mes dy mes femrave dhe meshkujve është 60 me 40, që është një dallim krahasuar edhe me vendet e rajonit.

“Ndërsa sa i përket dallimeve sipas sektorit të punësimit, punët e mbuluara nga gratë janë më tepër të përqendruara në arsim, shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale dhe tregti, që përbëjnë gjithsej 50 % të punësimit të përgjithshëm të këtij grupi”, ka thënë Zogaj-Gashi, duke shtuar se rreth 87 % e bizneseve janë në pronësi të meshkujve dhe vetëm 13 për qind nga gratë.

Ajo tha se në Ministrinë që  përfaqëson, përgjegjëse për sektorin e Minierave, TIK, Energjinë, përfaqësimi i femrave është shumë i vogël. Por, për ta ndryshuar sado pak këtë situatë, në bashkëpunim me Bankën Botërore është filluar me pilot projektin “Gratë në Punë Online”, i cili fillimisht do të shtrihet në dy komuna të Kosovës, me qëllim punësimin e 100 femrave, për tu shtrirë pastaj edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Sipas saj, nisma të tilla gjatë hartimit të politikave për sektorin e Minierave, Energjisë janë të domosdoshme, sepse këto projekte duhet përfundimisht të tregojnë se profesionet e tilla janë jo vetëm profesione të gjinisë mashkullore por edhe për femrat, ngase pa arsimimin dhe fuqizimin ekonomik të femrës, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Zv.ministrja e MZHE-së ka përgëzuar nismën e UBT-së për themelimin e Qendrës për Barazi Gjinore dhe Ekonomi, e cila do tu shërbej institucioneve të ndërmarrin hapa konkret që gratë të zënë vendin që u takon në shoqëri.