Ministri Lluka: Investimi në kapitalin njerëzor dhe në krijimin e rezervuarëve natyrorë të ujit, jetik për të ardhmen

Prishtinë, 08.11.2018 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po merr pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën Ballkanike për Ujëra dhe Kanalizime “Uji dhe Natyra”, që po mbahet në Tiranë, e cila u organizua nga Shoqata e Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Kosovës dhe Shoqata e Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Shqipërisë.

Në hapje të konferencës, Ministri Lluka ka shpalosur projektet të cilat po realizohen në këtë sektor në Kosovë dhe reformat e ndërmarra, me theks të veçantë në regjionalizimin dhe konsolidimin e tërësishëm të sektorit të ujërave dhe kanalizimeve.

Ministri Lluka, ka theksuar se një ndër prioritet e Ministrisë që ai drejton, është që të bëhet eliminimi i humbjeve në rrjetin e ujësjellësit, si dhe realizimin e impianteve për trajtimit e ujërave të zeza.

“Ne po angazhohemi që të bëhet eliminimi i tërësishëm i humbjeve në rrjetin e ujësjellësve dhe në krijimin e rezervarëve natyrorë për ruajtje dhe mbledhjen e ujit, është prioritet kjo çështje marrë në konsideratë se uji është resurs jo i mjaftueshëm për plotësimin e nevojave njerëzore gjithandej globit, po ashtu po punohet edhe në realizimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza”, u shpreh Ministri Lluka.

Tutje, Ministri Lluka tha se prioritet i tij tjetër në këtë sektor është investimi në ngritjen e kuadrove profesionale të cilët do të jenë të aftë të realizojnë projekte dhe mirëmbajnë investimet e deritanishme duke vlerësuar se thellimi i bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë drejtim për krijimin e programeve profesionale certifikuese të përbashkëta të bazuar në standardet më të larta evropiane është në interesin e të dyja palëve.

Gjatë kësaj konference, u bë edhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në mes Ministrit Lluka dhe të parit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, memorandum ky i cili ka për qëllim krijimin e një programi të përbashkët për trajnimin dhe certifikimin me qëllim të rritjes së aftësive të fuqisë punëtore në sektorin e ujërave.

Të dy Ministrat vlerësuan lartë rëndësinë e krijimit të këtij programi i cili do të unifikojë aftësitë dhe njohuritë e kërkuara për fuqinë punëtore bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.