Zv. Ministri Arifaj pret në takim delegacionin nga FMN-ja

Prishtinë, 11.05.2022 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj së bashku me shefen e kabinetit, Anyla Beqa kanë pritur në takim një delegacion nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë (FMN) në përbërje të z. Gabriel Di Bella, shef i Misionit të FMN-së për Kosovë, znj. Stephanie Eble, përfaqësuese rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe përgjegjëse për zyrën në Kosovë, Departamenti Evropian si dhe Ekonomistë nga Departamenti Evropian.

Në këtë takim u diskutua kryesisht për sektorin e energjisë në vendin tonë. Zv. Ministri Arifaj i njoftoi të pranishmit se Ministria e Ekonomisë është në fazën e hartimit të Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031, ku u shpreh se për këtë strategji janë duke punuar një grup ekspertësh.

Gjatë takimit u tha se Republika e Kosovës si anëtare e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, ka për synim që të harmonizojë legjislacionin vendor me atë të BE-së dhe Marrëveshjen e  Gjelbër.

Tutje Zv. Ministri Arifaj u shpreh se fokusi i Qeverisë së Kosovës në këtë Strategji është rruga afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, duke ruajtur sigurinë e furnizimit me energji elektrike, përballueshmërinë për konsumatorët fundorë, rritjen e përdorimit të energjisë së pastër, si dhe sigurimin e integrimit në treg rajonal në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme.
 

KOSOVO IN UNESCO