Në Prishtinë fillon edicioni i pestë i Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”

Prishtinë, 21.09.2022 - Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council - RCC), është duke u mbajtur në Prishtinë Samiti Dixhital për Ballkanin Perëndimor, edicioni i pestë “Prishtina 2022”. Në samit po marrin pjesë ekspertë të TIK-ut, biznese, përfaqësues të qeverive, përfaqësues nga Komisioni Evropian, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga BE dhe më gjerë.

Samiti Dixhital i Ballkanit Perëndimor është ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që si proces ka filluar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në hapje të këtij samiti ka marr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Belinda Balluku, Sekretari Gjeneral në Ministrinë e Inovacionit dhe Transportit të Gjermanisë Stefan Schnor.

Gjithashtu paraqitje online patën Olivér Várhelyi, Komisioner Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Mariya Gabriel, Komisionere Evropiane për Inovacion, Hulumtim, Kulturë, Edukim dhe Rini, Roberto Viola, Drejtor Gjeneral në DG CONNECT si dhe Majlinda Bregu nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal të cilët përshëndeten hapjen e këtij samiti.

Të pranishmit në këtë samit kanë diskutuar rreth prioriteteve që shtetet e rajonit kanë në fushën e dixhitalizimit, me theks të veçantë shkathtësitë dixhitale, infrastrukturën dhe shërbimet, siguria dhe ekonomia dixhitale.
 
Gjatë ditë së sotme kanë marrë pjesë 120 fëmijë të moshave nga 6 deri në 15 vjeç në gara në kodim, lojëra kompjuterike dhe fusha të tjera ndërsa deri në fund të samitit do të zhvillohen gjithsje katër gara.

Samiti dy ditor do të vazhdoj edhe nesër me 22 shtator ku do të marrin pjesë anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të Bankës Botërore, përfaqësues të qeverive nga rajoni si dhe përfaqësues të bizneseve nga vende të ndryshme.

Në këtë samit po marrin pjesë rreth 500 pjesëmarrës dhe më shumë se 60 folës.

KOSOVO IN UNESCO