Ministrja Rizvanolli vizitoi Postën e Kosovës

Prishtinë, 28 qershor 2022 - Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti të shoqëruar nga zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj kanë vizituar Postën e Kosovës ku u pritën nga Kryesuesi i Bordit të kësaj ndërmarrje publike, Fadil Bejta, Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefes ekzekutive, Fakete Kadiu dhe stafi menaxhues i ndërmarrjes.

Gjatë takimit u diskutuan shumë çështje me interes për zhvillimin e Postës së Kosovës, por edhe për sfidat më të cilat ballafaqohet kjo ndërmarrje. Fokus i diskutimit ishte nevoja dhe planet e digjitalizimit të shërbimeve që posta ofron, me ç’rast u premtua mbështetje nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Posta e Kosovës ka gjithsej 132 zyre postare  dhe gjatë muajit maj ka shënuar bilanc pozitiv financiar, ku ka shënuar të hyra më të larta se shpenzimet. Pas pesë vite që Posta e Kosovës ishte vlerësuar negativisht nga Zyra Kombëtare e Auditimit së fundmi kjo ndërmarrje është vlerësuar pozitivisht për pasqyrat financiare nga ZKA duke i dhënë opinion të kualifikuar.

Kryeministri dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë përgëzuan bordin dhe menaxhmentin e Postës së Kosovës për rezultatet e arritura dhe falënderuan punëtorët e kësaj ndërmarrje për shërbimet efikase dhe cilësore që iu ofrojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, u zotuan për bashkëpunim dhe mbështetje ndaj kësaj ndërmarrje me qëllim të përmirësimit të mëtutjeshëm të këtyre shërbimeve.

Ndërkaq, Fakete Kadiu, Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes ekzekutive tha se e vlerësojmë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe i dhuroi kryeministrit të Kosovës si dhuratë dy pulla postare që kanë fituar çmime ndërkombëtare.

KOSOVO IN UNESCO