Ministria e Ekonomisë ndanë 350,000 euro subvencion shtesë për Ngrohtoren e Gjakovës

Prishtinë, 19.09.2022 - Ministria e Ekonomisë ka ndarë subvencion në vlerë prej 350,000 euro për Ngrohtoren e Gjakovës me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me ngrohje në Komunën e Gjakovës gjatë sezonit dimërore 2022/2023.

Ndarja e mjeteve shtesë, përtej atyre të parapara në buxhetin për vitin 2022 për këtë qëllim, është bërë nga Ministria e Ekonomisë pas pranimit të kërkesës për subvencionim nga ana e Ngrohtores së Gjakovës.

Kërkesa nga ana e Ngrohtores ka ardhur pasi buxheti i paraparë për këtë vit për blerje të biomasës në vlerë prej 300,000 euro është shpenzuar nga Ngrohtorja në muajt e parë të vitit gjatë sezonit të kaluar të ngrohjes, duke rrezikuar kështu furnizimin e qytetarëve të Gjakovës gjatë sezonit 2022/2023.

Subvencioni i ndarë nga ana e Ministrisë së Ekonomisë siguron që qytetarët e Gjakovës të kenë ngrohje optimale gjatë muajve të dimrit, si dhe Ngrohtorja të vazhdojë operimin e furnizimin e rregullt duke ruajtur mirëqenien e qytetarëve dhe duke ulur kërkesën për konsum të energjisë elektrike kur vendi është duke u përballur me krizën energjetike botërore.

KOSOVO IN UNESCO