Lëvizja Globale Women in Tech fton diskutim mbi gratë në teknologji dhe ndërmarrësi në Kosovë

Prishtinë, 17.04.2024 – U.D. Sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani- Mullarama dhe Shefja e Kabinetit të Ministrisë së Ekonomisë, Anyla Beqa, kanë marrë pjesë në takimin e organizuar dje në Prishtinë nga Lëvizja  “Globale Women in Tech” me gratë lidere në fushën e teknologjisë.

Takimi është mbështetur nga UNWomen dhe krahas grave lidere nga Kosova, e pranishme ishte edhe themeluesja e Lëvizjes Globale Women in Tech, Ayumi Moore Aoki.

Qëllimi i takimit ka qenë vizita e drejtoreshës së Women in Tech dhe rrjetëzimi i saj me gratë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), krijimi i mundësive të bashkëpunimit, ndarja e përvojave të grave dhe eksplorimi i mundësive për të fuqizuar gratë në fushën e teknologjisë dhe ndërmarrësisë.

Ministria e Ekonomisë (ME) është përgjegjëse për politikat dhe strategjitë kombëtare në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe përfaqësueset e ME-së njoftuan se ME-ja po bënë përpjekje të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse për të mbështetur zhvillimin e këtij sektori në mënyrë që TIK-u të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Po ashtu, gjatë takimit, ato kanë diskutuar për Agjendën Digjitale të Kosovës 2030, për Strategjinë e Kosovës në IT, mbështetjen që u është dhënë grave në kuadër të pakos emergjente për energji, masave të subvencionimit të OJQ-ve në fushën e TIK-ut, e trajnimet e organizuara nga projekti KODE, ku rëndësi e veçantë u kushtohet trajnimit të grave për aftësitë digjitale, ndërsa u shprehen se ME-ja është e gatshme për bashkëpunim me UNWomen dhe Women in Tech për të shtyrë përpara Agjendën e ICT-së.

Ndryshe, misioni i Lëvizjes Globale Women in Tech me seli në Paris, është të mbështesë zhvillimin e karrierës së grave në industrinë e teknologjisë, biznes dhe avokim përmes programeve dhe bashkëpunimit, duke ndërtuar aftësi dhe besim, që gratë të jenë të përgatitura për suksese.

Ayumi Moore Aoki është sipërmarrëse dhe themeluese e OJQ-së Globale Women in Tech, e cila organizatë ka shtrirje në 48 shtete të botës dhe ka më shumë se 200.000 anëtare në mbarë botën.