Inaugurohen masat e efiçiencës së energjisë në Shkollën “Tre Dëshmorët”

Klinë, 28.03.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka marr pjesë në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë në Shkollën Fillore “Tre Dëshmorët” në fshatin Jashanicë e Lartë të Klinës.

Investimet efiçiente në shkollë janë realizuar në kuadër të projekteve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Zëvendësministri Getoar Mjeku foli për rëndësinë që kanë investimet e efiçiencës së energjisë në përmirësimin e kushteve mësimore në shkolla për nxënësit dhe mësimdhënësit dhe në kursimin e energjisë elektrike.

Ai po ashtu pohoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka prioritet efiçiencën e energjisë dhe krijimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtirshme. Mjeku po ashtu shtoi se Ministria e Ekonomisë është në përmbyllje të ankandit të parë të parkut solar me kapacitet prej 100 MW, ndërsa së shpejti do të hapet edhe ankandi i parë për energji nga era me kapacitet prej 150 MW.

Në  Shkollën “Tre Dëshmorët” është investuar në termoizolimin e jashtëm, është vendosja e kaldasë së re të ngrohjes qendrore, rregullimin e kulmit, zëvendësimi i dyerve të vjetra me të reja dhe zëvendësimi i ndriçuesve të vjetër me të rinj LED.

Përgjatë dy viteve FKEE ka realizuar rreth 90 projekte në objekte të ndryshme publike në vlerë prej rreth 12 milionë euro, investime këto që janë bërë me përkrahjen e Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë të pranishëm ishin Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, drejtori ekzekutiv i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezi dhe përfaqësues të tjerë.