Ministrja Rizvanolli flet në Forumit Ekonomik të Vjenës për zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë

Sofje, 24.04.2024 – Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë marrë pjesë në Forumit Ekonomik të Vjenës, është mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Në adresimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, solidaritetit dhe komunikimit ndërmjet vendeve të rajonit. Duke folur për zhvillimet teknologjike, ai përmendi aspektet pozitive që vihen në shërbim edhe të fuqizimit të urave të bashkëpunimit mes nesh, por edhe keqpërdorimit të qëllimshëm të saj nga autokratët që e shohin teknologjinë si mjet për dëmtimin e demokracisë dhe sigurisë.

Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi vizionin e Kosovës për këtë fushë, zhvillimin që po e njeh sektori i teknologjisë së informacionit, hapat që po ndërmerren nga Qeveria dhe mundësitë që ofron vendi ynë.

“Jam i bindur se ne mund të zhbllokojmë potencialin e rajonit. Ne mund të forcojmë demokracinë tonë dhe të nxisim një strukturë ekonomike e cila është e gatshme për të ardhmen. Si qeveri, ne mbajmë përgjegjësinë për të zgjeruar dhe rritur mundësitë për qytetarët tanë, jo për t’i pakësuar ato. Ne e kuptojmë formulën e suksesit: ajo mbështetet në ekonomitë e integruara, rregullat e standardet e përbashkëta dhe katër liritë që kanë vendosur Bashkimin Evropian si zonën më të madhe ekonomike në botë”, tha Kryeministri Kurti.

Në fjalën e saj të mbajtur në Forum, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se ndërlidhja ekonomike me shtetet tjera na bën të ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe nuk do të thotë që duhet të ndalim bashkëpunimin, përkundrazi, do të thotë që duhet ta forcojmë bashkëpunimin, por bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë i bazuar në qëllime e vlera të përbashkëta si demokracia e të drejtat e njeriut.

Ministrja Rizvanolli ka pohuar se Kosova me përparimet që ka bërë në demokratizim e luftim të korrupsionit, është bërë më tërheqëse për investime të huaja dhe kjo është dëshmuar edhe me suksesin e ankandit tonë të parë diellor, i cili është përmbyllur me çmim 48.88 EUR/MWh, 35% më i ulët nga çmimi fillestar prej 75 EUR/MWh, Besimi në institucione dhe zbatimi i një procesi të drejtë e transparent, ishin kyçe në arritjen e këtij rezultati.

“Kosova me rininë e shkathtësitë e saj, me mbulueshmërinë e plotë me internet, ndërlidhjet rrugore e hekurudhore gjithnjë më të mira me rajonin, si dhe sistemin e identifikimit elektronik e digjitalizimin, do te vazhdojë të kontribuojë në vizionin e një Evrope të integruar ekonomikisht, me vlera të përbashkëta”, ka shtuar Rizvanoilli.

Ajo po ashtu, ka vlerësuar se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të ftohen për të marrë pjesë e kontribuar aktivisht në lidhje me vendimet politike që merr BE-ja e që i prekin të gjithë.

Ministrja Rizvanolli është pritur nga Ministri i Ekonomisë dhe Indrustrisë, Petko Nikolov, të cilit i ka uruar detyrën e re dhe u dakorduan që të vazhdojmë dhe përforcojmë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Ndryshe, Forumi Ekonomik i Vjenës është themeluar në vitin 2024 dhe objektiv kryesor ka promovimin e bashkëpunimit ekonomik. Vendet anëtarë të Forumit Ekonomik të Vjenës janë Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina.