Ministrja Rizvanolli merr pjesë në edicionin e 9-të të Konferencës “Our Ocean” në Athinë, krahas 110 shteteve

Athinë, 16.04.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me ftesë të Ministrit grek për Mjedis dhe Energji, Theodoros Skylakakis, krahas 110 shteteve ka përfaqësuar Kosovën për herë të parë në edicionin e 9-të të Konferencës “Our Ocean”, e cila këtë vit u mbajt në Athinë të Greqisë.

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou përmes videomesazhit, ka folur në ceremoninë hyrëse të konferencës, e cila është hapur nga Ministri grek i Punëve të Jashtme, George Gerapetritis, Ministri grek për Mjedis dhe Energji, Theodoros Skylakakis, ish – Sekretari i Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Oqeane, Peter Thomson.

Konferenca “Our Ocean” është iniciativë e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për hartim të politikave, si dhe zhvillim të hulumtimit, financimit e partneritetit për të mbrojtur mjedisin dhe për të krijuar një të ardhme të qëndrueshme.

Në margjinat e konferencës, Ministrja Rizvanolli ka zhvilluar takim bilateral me Ministren e Letonisë për Mbrojtje të Mjedisit dhe për Zhvillim Rajonal, Inga Bērziņa. Gjatë takimit të dy ministret kanë diskutuar mbi praktikat më të mira dhe përvojën në zhvillim të kapaciteteve të erës, digjitalizim dhe zhvillim rajonal.