Ministrja Rizvanolli mban takim me Drejtorin e Shoqatës Helenike të Energjisë së Erës

Prishtinë, 19 prill 2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mbajtur takim virtual me Drejtorin e Shoqatës Helenike të Energjisë së Erës në Greqi (HWEA), Panagiotis Papastamatiou për t’i prezantuar mundësitë e investimit të parapara në Pakon Investive të Kosovës për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, veçanërisht në ankandin e parë të erës.

Ministrja Rizvanolli ka prezantuar punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtim të kapaciteteve të reja të pastra të energjisë elektrike, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Njëkohësisht, ajo ka prezantuar projektet e investimeve si kapacitetet akumuluese, tregu i përbashkët me Shqipërinë, marrëveshjet për “market coupling” me Maqedoninë e Veriut e me Greqinë, si dhe investimet në rrjet të transmisionit të cilat mundësojnë e lehtësojnë integrimin e burimeve të ripërtërishme në rrjet e njëkohësisht e bëjnë Kosovën destinacion edhe më tërheqës për investime të huaja të energjisë.

Drejtori i Shoqatës Helenike të Energjisë nga Era në Greqisë, Papastamatiou ka shprehur interesimin për mundësitë që ofron Kosova, veçanërisht ato për investime në energji të erës për kompanitë greke, duke filluar me ankandin e parë 150 megavatësh. Pako Investive e Kosovës për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë parasheh ndërtimin e 950 megavatëve të kapaciteteve të ripërtërishme të cilat kapin vlerën prej rreth 1.2 miliardë euro.

Projekti i parë është ankandi i parë diellor i vendit, ky ankand i cili është mbajtur muajin e kaluar është përmbyllur me sukses, ku çmimi final i ofruar ka qenë 48.88 euro për megavat orë. Projekti i radhës, është ankandi i parë i erës i vendit i cili pritet të lansohet në pjesën e dytë të këtij viti dhe do të zhvillohet me mbështetje të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) si dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).